Parodontitet

Janë një grup sëmundjesh që karakterizohen nga shkatërrimi i aparatit bazë të dhëmbit. Paraqiten me humbje të sipërfaqes së dhëmbit, formime të theksuara të qeskave etj. Këto sëmundje janë të lidhura ngushtë me mënyrën e jetesës së individëve, provokohen nga disa lloje bakteriesh dhe influencohen gjatë zhvillimit të tyre nga një sërë faktorësh lokalë (një higjenë e keqe e gojës) dhe të përgjithshëm (trashëgimia gjenetike, duhani, diabeti stresi, marrja e ilaçeve të caktuara farmaceutike).Aktualisht parodontitët janë shkaktarët kryesorë të humbjes së dhëmbëve. Në të shumtën e rasteve nuk diagnostifikohen deri në humbjen e dhëmbit ose diagnostifikimi i tyre bëhet me shumë vonesë.

Parodontitët mund të jenë një faktor i rrezikshëm për përhapjen e infeksionit në gjak dhe në zemër. Prandaj sëmundja parodontale duhet të diagnostifikohet dhe të kurohet me kujdesin më të madh. Në të shumtën e herëve duhet të ndiqet një terapi e cila duhet të jetë gjithmonë nën vëzhgimin e dentistit gjatë ecurisë së saj në mënyrë që të shmanget zhvillimi i sëmundjes duke rrezikuar në ndërhyrje më të mëdha dhe të rrezikshme për organizmin. Parandalimi dhe terapia janë shumë efikase në pjesën më të madhe të rasteve.